Unë nuk isha një prej tyre. Diçka ndodhi dhe unë jam tani një prej njerëzve pa makina. E bëja shpesh atë rrugë, me makinë, deri atë ditë që ndodhi ajo ngjarje.
Aty ku niste ura në buzë të rrugës priste një grua. Nuk ishte si mua. Ajo grua ishte një njeri pa makinë.
Ishte e lagur nga shiu, që kishte rënë disa orë më parë. Me siguri kishte pritur shumë aty. I ndala rrotat e makinës para këmbëve të saj. Më tregoi se ku do shkonte dhe e mora në makinën time.
E kështu u bëmë një njeri me makinë dhe një njeri që ishte futur në makinë e një njeriu.
Pjesën më të madhe të rrugës as ajo nuk foli dhe as unë nuk i fola. Kur kishte mbetur shumë pak rrugë e pyeta pse ishte një njeri pa makinë.
Më tregoi se kishte lindur në një kohë ku kishte shumë pak makina. Dhe, se ajo nuk kishte pasur as mundësitë ekonomike për të blerë një makinë, e as lirinë për të mësuar se si drejtohej një makinë.
Nuk kishte qënë zgjedhja e saj për të qenë një njeri pa makinë. Pas dy fjalive që më tha ajo grua nuk flija dot. Ishte sikur të kisha diçka në fyt. Sikur të më kishte mbetur një top në fyt, që nuk më linte të flija. Më e keqja ishte se nuk më linte të mendoja më qartë.
Mendoja vetëm për atë grua dhe dy fjalitë, që ajo më tha. U përhumba në ato dy fjalë, aq sa gruaja ime nisi të besonte se unë mendoja grua tjetër.
Ky besim iu shtua edhe më shumë, kur unë refuzova të flija me të. Rolet atë natë u ngatërruan keq. Mëngjesi që do të vinte pas asaj nate për mua ishte fatal. Ato dy fjali që më tha ajo grua më kishin marrë çdo gjë edhe dëshirën për ta prekur gruan time. Vetë nuk e gjeja përgjigjen dot. Pse po ndodhte kjo me mua?
Ndaj atë natë kur gruaja ime kërkoi të përmbushja një nga detyrimet e mia si bashkëshort, unë i tregoa për dy fjalitë, që më tha ajo grua. As gruaja ime nuk e gjeti një përgjigje. E vetmja fjali që më tha ishte se unë po çmendesha.
Nuk fjeta atë natë. Mëngjesin që erdhi pas asaj nate, i hipa makinës. E ndalova makinë buzë rrugës ku kisha marrë atë grua. Dhe dola edhe unë në vendin ku ajo kishte pritur.
Doja ta provoja si ndjesi si ishte të prisje aty në mes të rrugës, një makinë. E provova për jo më shumë se dy minuta këtë ndjesi. Për aq dy ose tre minuta unë mund të kem qenë një njeri pa makinë, që priste për një makinë.
E më pas ndodhi fatalja. Një makinë u hodh mbi trupin tim. Unë përfundova në ujë, poshtë urës. Makina me gjithë njeriun që ishte brenda, ngeci diku në urë.
Ai njeri që ishte brenda makinës e humbi jetën. Unë kuptohet që jo. Kam mbetur i paralizuar dhe si thotë psikiatri me një depression agresiv, që m’i ka marrë gjithë ngjyrat. Sipas tij unë kam hequr dorë nga ngjyrat dhe shoh vetëm gri.
Kurse unë e pyes se ai duhet të gjejë përgjigjen pse unë nisa të mendoj aq shumë për ato dy fjali. Ishin vetëm dy fjali që më morën çdo gjë.
Tani jam një njeri pa makinë, një njeri pa shtëpi, që jetoj në një spital psikiatrik. Psikiatri më është përgjigjur vetëm dy herë. Njëherë më tha je çmendur ndaj. Me humor vazhdoi se çmenduria është niveli më i lartë i inteligjencës dhe se unë po kërkoja një përgjigje që i ka kaluar nivelet e të menduarit në mënyrë normale.
Dhe përgjigja e dytë ishte se sëmundja më e madhe janë mendimet dhe kërkesa për të gjetur përgjigje aty ku nuk ka. Për t’u shëruar unë duhet të ndaloja së kërkuari. Me këto dy përgjigje të psikiatrit unë kam nisur të mendoj edhe më shumë. Tani më ka mbetur të them vetëm se unë jam si ata tani. Për të provuar ndjesinë e tyre, unë humba çdo gjë. Po jam si njerëzit pa makina.
Comments