top of page
Writer's pictureXhentiana Muskaj

Të Ndryshmit

Jashtë fyrn një erë e tmerrshme. Duket si një gojë e madhe, e hapur. Ka tri orë që nuk ndalet. Më duket sikur brenda asaj goje janë të gjithë përshpërimat e njerëzve të këtij qyteti. E mbi të gjitha përshpërima e saj.


E gruas që dikur doja dhe, tani e urrej. As vetë nuk e di si ndodhi kjo. Tashmë di vetëm që e urrej. Pas vdekjes së qenit tonë, është më shumë se urrejtje. Ndjej neveri për të.

Dy ditë më parë e lajmërova me anë të një mesazh se qeni ynë kishte ndërruar jetë. Më tha se ishte faji im, se nuk kisha ditur të kujdesesha. E pas kësaj më tha se ne nuk kishim pasur kurrë një lidhje. Ne nuk kishim qenë kurrë bashkë.


Mohimi i lidhjes sonë ishte gjëja e vetme, që i kishte mbetur të më harronte. Ajo është martuar. Besoj se ka një vit ose ndoshta më shumë. Mesa kam dëgjuar u martua disa muaj pas ndarjes sonë.

Zakonisht janë burrat ata që s’e durojnë dhimbjen dhe zgjedhin menjëherë të jenë në krahët e dikujt tjetër. Nuk e di pse ndodhi kështu me ne. Isha unë ai që duhet të isha martuar. Dhe jo ajo. Po ashtu tha edhe se meritoja çdo gjë që më kishte ndodhur deri më tani. Meritoja që të kisha vetëm dhimbje dhe askush të mos më donte.


Kjo gjë do e bënte atë të lumtur. I thashë vetëm faleminderit dhe gjithë të mirat. E si zakonisht që pas ndarjes nuk ia kam thënë gjërat që duhet t’i thoja. E mbase kurrë nuk do ia them. Kam një ritual tjetër.


Ritualin që do të bëj tani. I shkruaj letra. Ku dihet mbase në një moment, kur edhe urrjetja dhe neveria të jenë kthyer në asgjë do ia japë. Do shkruaj letrën e radhës. Po nuk di si ta nis. Dua t’ia them duke e parë në sy se nuk është më një njeri i dashur për mua. Se nuk duroj dot më asgjë të sajën.


As kujtimet nuk i duroj më. Kam mbetur me fare pak rroba. Kjo sepse çdo gjë që kisha nga periudha me të ose e fala ose flaka. Ndihem i lehtësuar, pasi i shkruaj letrat. Ama qaj shumë kur i shkruaj, por duhet ta bëj sepse lehtësohem.

Ka ardhur koha ta shkruaj:

Qeni ynë ka vdekur dhe t’i më thua se ishte vetëm faji im. Si mundesh ta thuash këtë. Ti ishe ajo që e more qenin tonë pas ndarjes. Ai u sëmurë njësoj si mua dhe ti nuk e deshe më. Ashtu si nuk më deshe më mua kur u sëmura. Kjo është e vërteta e hidhur. Më doje të gjithin për veten. Të gjithin. Unë nuk mund t’i përkisja as vetes ime.


Duhet të përkisja vetëm ty. Kur u sëmura doja të qëndroja vetëm me veten time, ama as këtë nuk ma lejove. Unë duhet të isha i gjithi i yti. Sikur të isha një send që t’i e zotëroje. Nuk më ke dashur.


Nuk di si ta shpjegoj. Ose ose nuk di si ta shkruaj sepse tashmë e kam pranuar atë të vërtetë. Kur unë u sëmura t’i nuk mund ta pranoje se më duhej kohë për veten. Janë disa gjëra që edhe kur i ke pranuar, nuk e gjen dot mënyrën e duhur për t’i thënë. Mbase kështu do të mbetet edhe për ne të dy.


Të duash dikë do të thotë edhe ta lësh ta dojë veten. E mbase më duhet edhe më shumë kohë për të qenë më i qartë. Tani për tani kjo është e vetmja gjë që mundem të shkruaj. Gjatë kohës që isha me ty nuk e kuptova se e kisha të ndaluar ta doja veten. Duhet të doja vetëm ty.

E trishtë është po ndihem me fat, që isha në prag të vdekjes. Duke qenë aq i afërt me vdekjen të njoha vërtet ty se si ishte dhe jam i lumtur. Duke qëndruar me ty do ta kisha dhënë veten time ty të gjithë. Dhe kjo është më keq se sa të vdesësh. Jam i lumtur për atë përiudhë të vështirë.


Jam i lumtur për të gjitha herët që isha i vetëm në spital dhe t’i nuk ishe aty. Jam i lumtur. Thjesht kjo është, jam i lumtur me vetminë time.

Më në fund kam veten time dhe i përkas vetëm vetes sime. Unë nuk të përkas më ty. Kjo është ajo që t’i nuk duroje dot. Dhe kjo është ajo që t’i nuk pranon dot tani, që unë mund të jem i lumtur edhe pa ty.


Më duhet akoma kohë që të kthejë në asgjë. Kur asgjë e jotja mos të më japë më bezdi. E di jashtë fryn një erë e tmerrshme. Më kujtoj përshpërimat e tua. E pranoj më duhet akoma kohë të mos të kem në mendje.


Të jesh asgjë për mua. Kaq paradoksale është dikur të doja aq shumë dhe çfarë je ti tani për mua? Je vetëm disa kujtime që po mundohem t’i kthej në asgjë.


Jeta është kaq e panjohur. Dikur të doja më shumë se jetën time dhe tani dua ta kthej në asgjë atë grua. Në asgjë!  Nuk kam për ta torturuar më veten të gjej pse ndodhi kështu. Nuk dua ta bëj më sepse tani unë e di realisht se kush je ti.


Thonë se koha tregon çdo gjë. Kështu ndodhi dhe me ne. Koha tregoi se kush jemi në të vërtetë. Dhe ne ishim dy njerëz që u deshën, ama shumë të ndryshëm për të qenë bashkë. Unë jam ai që nuk mund të zotërohem. Ai që i përket vetëm vetes dhe ti je ajo që do të zotërosh çdo gjë. Kjo është e gjitha!


Jemi shumë të ndryshëm. Ti më mohon dhe unë po i jap ende kohë vetes të të kthej në asgjë. Në fund ne jemi te ndryshmit. Qoftsh mirë dhe mbase kjo është hera e fundit që shkruaj për ty. E ku i dihet mbase një ditë do t’i nis të gjitha letrat.   

Comments


bottom of page