Ana e majtë e qafës
- xhena26muskaj
- Sep 12
- 4 min read
Hera e pestë që do të futem në vaskë për t’u larë. E s’jam as e djerësitur, as po e përdor ujin e ngrohtë për t’u qetësuar nga stresi.
Asnjë nga këto nuk është. Po çmendem. E, mbase kjo është po çmendem. E ndjej aromën e tij kudo. Kudo, në rrobat e mia dhe në trupin tim. Më shumë e ndjej afër qafës sime.
Dal nga uji. Lëkurën e kam në ngjyrë rozë. Jo! Akoma e ndjej. E ndjej aromën e tij në anën e majtë të qafës. Aty është aroma e tij. E ndjej, e ndjej parfumin e tij aty.
Futem në ujë sërish. Marr saponin me livando dhe e fërkoj qafën derisa sa ndjej dhimbje.
Dal nga uji. Vendos peshqrin në trup dhe me flokët e lagur shkoj të shtrihem. Jam e përgjumur.
Marr telefonin në duar dhe i shkruaj asaj, që më njeh që pesë vjeçe. I shkruaj po çmendem. I
shkruaj, po çmendem e ndjej aromën e tij. Nuk largohet. Ajo që më njeh që pesë vjeçe quhet Elisa. Një romantike që beson te shkrimtarët dhe historitë e mëdha të dashurisë. E një romantike që beson akoma te princi i kaltër dhe letrat e dashurisë me fjalët ‘’Ti je qielli im’’, ‘’Dua të jem lëkurngjitur me ty’’ e të tjera broçkulla si këto.
Elisa më shkruan se duhet ta pranoj se unë e ndjej aromën e tij sepse shpirtrat tanë janë të lidhur. Se ai po vuan dhe nuk ndalet se menduari për mua.
Dhe, më e bukura se uni im po mundohet të më japë një mesazh psikik që t’i besojë intuitës sime për të pranuar se unë po vras një histori dashurie.
I përgjigjem se të gjitha këto janë broçkulla. Elisa mërzitet me mua dhe më shkruan se jam një grua e pashpirt dhe se ai është një burrë i gjorë.
E thashë ajo është një romantike e sëmurë që mendon se po mos të isha unë kështu si jam kjo do të ishte një histori e madhe dashurie. Nuk e di por edhe pse e përgjumur nuk mundem të fle. Jam e rraskapitur për të fjetur, por aroma e tij e ndjej akoma. Akoma është te qafa ime. Nuk e di, nuk e di pse është aty.
E marr sërish telefonin në duar. I shkruaj Elias. Ai është mjek. Ia shkruaj të gjitha. Edhe atë që raporti intim midis nesh ndodhi vetëm njëherë. Ia shkrova edhe atë se ai më tha largo rrobat e tua nga trupi yt. Ai i hoqi vetë rrobat e tij. Dhe unë vetë të miat.
Vetëm në fund kur unë u ankova se burrat janë të mirë vetëm për të hapur fustanet. M’u afrua dhe më ndihmoi me zhinxhirin duke thënë se është më e lehtë ta hapësh zhinxhirin e një fustani se sa ta mbyllësh. S’pati puthje në atë moment.
Edhe unë si një ironike e lindur që jam i thashë, se do shihemi në jetën tjetër. Ai u përgjigj vetëm ‘’Shihemi’’. Po unë dhe ai nuk flasim as të njëjtën gjuhë e as jetojmë në të njëjtin vend. Në fakt unë dhe ai jetojmë në dy kontinete të ndryshme.
E pra të gjitha këto të çojnë në përfundimin se është e pamundur të kemi një lidhje shpirtërore. E pamundur!
Elia më nis një mesazh të shkurtër. Ai që më duhej. Më shpjegon se e gjitha kjo mund të jetë phantosmia. E kjo është një gjendje që bën të ndjesh aroma që nuk janë në mjedisin tonë.
E meqë unë e ndjej vetëm në njërën anë të qafës, mund të jetë tregues së është prekur vetëm njëra anë e hundës.
Më pyet a kam qenë e ftohur kohët e fundit dhe a kam pasur probleme dentare. I them se po. E pas po-së sime, më nis numrin e një miku të tij që është specialist. Më shpjegon si ai do kujdeset për mua dhe se takimi është pas dy ditësh.
E largoi telefonin. Mbyll sytë. Aroma është akoma aty në qafën time. Vetëm në njërën anë të qafës. E ndjej sikur ai është aty dhe kam një ndjesi që dua ta largoj peshqirin nga trupi dhe ta zbres dorën e të lëviz gishtrinjtë.
Jo kjo nuk mund të ndodhë! E marr telefonin dhe i shkruaj Elisës se po çmendem. Po çmendem. I tregoj se çfarë doja të bëja. E ajo më pyet sa herë ka ndodhur. I përgjigjem vetëm gjysme herë.
Dhe, ajo që është një romantike e sëmurë më thotë se nuk e kupton çfarë do të thotë gjysmë here. I them se unë dhe ai luftuam edhe në shtrat se kush do të ishte më shumë dominant.
Se ai nuk e shijoi trupin tim dhe as unë të tijin. Ishim thjesht dy trupa të ndarë, që nuk u bëmë një. Dhe se në ato pak minuta që ndoshta u bënë një ose dy orë u tha edhe fjalia nga ai unë e di që t’i e do këtë gjë, por nuk po e kuptoj pse trupi ty nuk po e lejon, ose lëviz këmbët ose e largon shkimin nga mua.
Elisa më përgjigjet se unë po vras romanticitetin që është te ajo. Më pyet po ai si ndihet. E unë i shkruaj se nuk e di dhe as nuk dua ta di. Ia them edhe të vërtetën se mbase ndodhi ajo që ndodhi sepse të dy jemi karaktere dominante dhe donim të dinim kush do të fitonte.
Ia Elisës edhe se unë i thashë atij që nëse e takoj shpresoj të jetë burrë dhe një burrë më i mirë. Ajo më pyet se pse nuk e pranoj se është dashuri kjo. I përgjigjem sepse unë as nuk e kuptoj se si është ta puthësh atë dhe të jesh e puthur nga ai. Nuk e kujtoj.
Elisa më përgjigjet si asnjëherë më parë. Se unë jam një njeri i ftohtë e pa zemër dhe se vrava anën e saj romantike përgjithmonë me këtë histori.
Më shkruan edhe se nuk do të flasë me mua se do marr ilaçet e gjumit, që të flerë nga historia ime çmendur e mospranimit të dashurisë. E unë, a po ilaçe gjumi! Kjo më duhet. Edhe pse romantike e sëmurë Elisa gjithmonë e gjen një zgjidhje. Ilaçe gjumi që të fle dhe mos ta ndjej këtë aromë. Aromën e tij, e cila do marr fund. Takimi është pas dy ditësh.









Comments