top of page
  • Linkedin
  • Instagram

Dhoma e kuqe

Updated: Apr 7

Që prej dy orësh nuk jam më një njeri si gjithë njerëzit e tjerë. Kam vrarë. Njerëzit e tjerë duhet të më kenë frikë tani. Ashtu si kisha unë frikë nënën, kur vinte në shtëpi. Tani nuk e kam më frikë nënën.



Ajo ka vdekur. Isha unë ai që e vrau para dy orësh. Duart e nënës sime ishin mbushur me rrudha. Damrët i ishin fryrë shumë. E megjithatë, ajo sërish e ngriti dorën të më qëllonte.


Në atë moment u ndjeva i lodhur. Ia ula dorën nënës. I vura të dyja duart e mia në fyt dhe e shtrëngova me sa fuqi kisha. Sytë e mi i mbylla. Nuk kisha aq fuqi t’i mbaja hapur teksa nëna ime mundohej të shpëtonte prej duarve të mia.


E teksa mbaja sytë mbyllur, m’u kujtua dhoma e kuqe. Pikërisht në atë dhomë nëna ime gjeti babanë me një grua tjetër.


Babai humbi jetën një muaj pasi nëna e pa brenda dhomës së kuqe me gruan tjetër. Për shumë kohë mendoja se babait i kishte pushuar zemra. Po nuk kishte ndodhur ashtu.

Në atë kohë unë isha fëmijë dhe nuk e kuptoja se si nëna mund ta kishte kapur babanë brenda asaj dhome. Besoj se duhet të ketë qenë shumë keq sepse nëna i hodhi diçka babait në gotën e tij me uiski.


Më pas atij i pushoi zemra. Të gjithë menduan se ishte një atak kardiak. Nëna e kishte mbajtur këtë të vërtetë për vete deri para tre orësh. Tradhëtia e babait e bëri atë një grua të ligë. Unë dhe dhoma e kuqe ishim gjithaçka që babai i kishte lënë, nënës.


Të gjithë pasurinë babai ia kishte lënë gruas tjetër. Dhoma e kuqe ishte në shtëpinë tonë. Të gjitha gjërat në atë dhomë ishin të kuqe. Babai thoshte se ajo dhomë e kuqe e ndihmonte të punonte.


Po nuk ishte kështu. Kur nënë nuk ishte në shtëpi, babai sillte aty gruan tjetër. Ai nuk punonte aty. Në atë kohë kuptoja vetëm që babai im punte në bankë. Dëgjoja shpesh shumë zhurma.

Të bërtitura. Isha fëmijë dhe nuk e dija se ato nuk ishin të bërtitura që ndodhin gjatë punës. Dhoma e kuqe na shkatërroi jetën. Sikur ajo dhomë e kuqe mos të ishte... jam i sigurtë se babai dhe nëna do ishin akoma gjallë.


Në fillim nëna shkatërroi çdo gjë të dhomës së kuqe. I nxorri të gjitha moblijet e kuqe. E më pas e leu me bojë të zezë. E mbylli dërën e asaj dhome dhe nuk e hapi më. Isha unë ai që e hapi para një ore. Myku e ka pushtuar këtë dhomë. Boja e zezë është zbehur. E pasi shkatërroi dhomën e kuqe, nëna më shkatërroi mua.


Shkatërrimi im nuk ishte si shkatërrimi i dhomës së kuqe. Mua nëna më shkatërroi çdo ditë pak e nga pak. Në fillim nuk më përqafonte më. Pastaj duart e saj i përdorte vetëm për të më qëlluar. Fjalët e saj më dhimbnin më shumë se plagët në trup. Të paktën plagët shëroheshin pas një ose dy javësh. Ashtu si përdorte ajo duart për të më lënduar, ashtu përdora edhe unë duart e mia për ta lënduar para dy orësh.


Unë vrava një grua të moshuar, e cila para shumë vitesh i kishte marrë në fillim fëmijërinë një fëmije. Më pas i kishte marrë gjithë dashurinë. Unë nuk e di çfarë është të duash dhe të duan.

Akoma nuk e njohur dashurinë dhe nuk e di se kur do ta njoh. Jam tridhjetë vjeç, ama dukem si pesëdhjetë. Mbase dukem edhe më shumë. Mungesa e dashurisë ka arritur të më plakë shumë shpejt.


Nëna e urrente ngjyrën e kuqe. Kurse babanë vetëm ajo ngjyrë e bënte të lumtur. Ende nuk e kam kuptuar se çfarë i shty ata dy njerëz të martohen. Dhe, akoma më keq të sjellin një fëmijë në jetë. Pikërisht mua.


Gjatë viteve shpesh dëgjoja miket e nënës t’i thoshin se babai nuk ishte një burrë për të. E ajo u përgjigjej se në periudhë që ajo ishte njohur me babanë donte të kishte një fëmijë. Nëse do të priste më nuk do të ishte e mundur prej moshës biologjike. Ironi e madhe. Ajo duhet të kishte një fëmijë dhe babait me siguri do i jetë pëkëledhur egoja, kur një grua si nëna i ka thënë se ai ishte burri i duhur.


E, unë fëmija me bindje të plotë shkruaj se asnjëri nga ata nuk ka qenë gati për t’u bërë prind. Babai mund ta kishte jetuar jetën e tij duke qenë me gra të ndryshme në dhomën e kuqe. Kur shikonte gra, ai kishte një lloj tjetër vështrimi. Sikur donte t’I hante me gjithë rroba. M’u deshën vite ta kuptoja atë vështrim dhe akoma më shumë vite të arrija në përfundimin se babai im ishte një përvers. Kurse nëna, ajo shumë pak qëndronte në shtëpi.


Atë e kënaqte vetëm puna dhe të ishte më e mira në punë. Nëna nuk i duronte dot gabimet. Dhe as nuk i falte gabimet. Për nënën m’u deshën vite të kuptoja se ajo ishte thjesht një grua mizore.


Më e vështirë ishte të pranoja se ajo nuk donte fëmijë. Unë erdha në jetë prej faktit se nëna ime kishte shkëlqyer kudo. Ajo ishte kudo e para. E nëse nuk do të kishte një fëmijë për të do të ishte një dështim i madh.


Një grua si ajo nuk mund ta pranonte këtë. Ndaj erdha unë. E unë fëmija ç’faj kam unë? Po dëgjoj zilen e derës. Policia do më marr. Ama nuk do t’u tregoj për dhomën e kuqe. Më mirë të mendojnë se jam unë mizori në këtë histori.


Nuk dua të lodhen duke thënë se babai dhe nëna ime nuk duhet të kishin fëmijë. E nëse pyesin për djegiet që kam nga shenjat e cigareve në trup, do u them se i kam bërë vetë.

Le ta mendojnë nënën time një grua të gjorë dhe të mirë. Dhe sigurt për dhomën e kuqe askush nuk do e di. Jam i lodhur duke pyetur si do ishte jeta ime po mos të ishte dhoma e kuqe. Jam shumë i lodhur.


Lodhja nga pyetjet që nuk kanë përgjigje është një tjetër lodhje. Dhoma e kuqe ishte. Ndaj se si do ishte jeta ime pa atë dhomë të kuqe, nuk e di. Nuk do e gjej kurrë përgjigjen. As nuk do e kërkoj më një përgjigje. Jam shumë i lodhur e nuk dua që askush të lodhet duke pyetur se si do ishte jeta ime pa dhomën e kuqe. Zilja po vazhdon të bjerë. Duhet të hap derën.

Comments


bottom of page